Udhëheqësit e vendeve arabe dhe presidenti i Iranit po mbajnë një takim të nivelit të lartë në Arabinë Saudite të shtunën për të diskutuar mbi mundësitë për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazë.
“Gaza nuk është një arenë për fjalë, por për veprim”, tha presidenti iranian Ebrahim Raisi të shtunën përpara se të nisej drejt Riadit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi, duke shtuar se ushtria izraelite “po shënon rezultate jashtëzakonisht të mira në Gazë”.
Kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze tha të premten se në 24 orët e fundit janë goditur katër spitale në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ai akuzoi Izraelin se i ka goditur ato qëllimisht në një përpjekje për të detyruar civilët palestinezë të largohen nga Gaza.
Në një intervistë të premten për BBC, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për armëpushim. Ai tha se e njeh të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por shtoi se në Gazë po bombardohen civilë.
“Ka foshnja, ka gra, të moshuar që po bombardohen dhe vriten. Nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet, ndaj ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë“, th ai.
Ushtria izraelite thotë se Hamasi ka fshehur armë në tunele nën spitale dhe ka ngritur një qendër komandimi nën Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, çka përligj sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet ndaj tyre.
Megjithatë Forcat e Mbrojtjes izraelite hodhën poshtë pretendimet se kishin goditur spitalin Al-Shifa të premten, duke akuzuar për këtë Hamasin. Sipas zyrtarëve izraelitë, militantët kishin lëshuar një raketë që kishte patur si objektiv trupat izraelite, por në fakt ajo sipas tyre kishte goditur spitalin.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor i Gazës “është në gjunjë” në kushtetet kur 18 nga 36 spitalet dhe dy të tretat e qendrave të saj shëndetësore parësore, nuk funksionojnë fare.
“Situata në terren është e pamundur të përshkruhet”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai shtoi se çdo 10 minutë në Gazë humb jetën mesatarisht një fëmijë si dhe bëri apel për armëpushim./voa