Rritja e pagave të gjyqtarëve sipas kryeministrit Edi Rama do të rëndonte në xhepat e qytetarëve.
Me anë të një videomesazhi në Facebook, kreu i qeverisë e cilësoi absurd kërkesën e togave të zeza duke u shprehur se ata nuk mund t’i imponohen qeverisë, nëpërmjet gjykatës kushtetuese.
“Domethënë ky i thotë gjykatës që “thashë ta bëjmë kështu tinëz këtë punë, pa e pasur mendjen të tjerët dhe qeveria kishte zgjedhjet, dhe s’e kishte mendjen tek ne dhe me këtë rast t’i merrnim buxhetit të shtetit, t’i merrnim shqiptarëve nga taksat 37 milionë euro. Aq është shuma. 37 milionë euro të tjera”, tha Rama.
Sipas Ramës, pagat e gjyqtarëve në Shqipëri janë më të larta krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Për nivelin e demokracisë e ka fjalën për shembull, gjykatësi që bën dhe ironi me nivelin e demokracisë në ndërkohë që për të pasur një ide të qartë, lidhur me si është situata e pagave në Shqipëri, dua që ta dinë të gjithë se e vërteta është që në Shqipëri, pagat e gjykatësve sot siç janë, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi, në një vend të BE dhe ndërkohë janë dyfish më të larta sot siç janë, sesa pagat e gjykatësve në Maqedoni dhe në Malin e Zi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri një apel ndaj Kushtetueses, që të mos bëhet palë me këto kërkesa që sipas tij janë pa sens.
“Unë shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera.Këto kisha unë sot dhe kush është i interesuar, le të marrë regjistrimin e asaj seance dhe të shohë se çfarë bëhet dhe do kuptojë shumë mirë se sa absurde është e gjithë kjo histori; me gjykatësit që duan t’i rrisin vetes pagat, vetë Zot e vetë shkop”, tha Rama.
Rama u shpreh se seanca Gjykatën Kushtetuese tregoi logjikën e gjyqtarëve që sipas tij la për të dëshiruar.
/vizionplus.tv





