Opozita amerikane është sfiduar që në seancën e parë dëgjimore të gjyqit që ka filluar në senat për shkarkimin e kreut të shtetit. Republikanët e bllokuan kërkesën e Demokratëve për të detyruar ish këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton të paraqitet si deshmitare.

Senati i kontrolluar nga republikanët gjithashtu refuzoi amendamentet e demokratëve që kërkojnë paraqitjen e provave nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes dhe zyra e buxhetit.Udhëheqësi i pakicës në senat, Chuck Schumer deklaroi se një gjyq pa paraqitje provash, dëshmitarësh ose dokumentesh nuk është aspak gjyq.

 

CHUCK SCHUMER

 

“Dita e parë e gjyqit nuk mund të ishte më e turpshme. Kur lexon rezolutën e hartuar nga McConnell, është e qartë se ai është i vendosur që ta bëjë sa më të vështirë thirrjen e dëshmitarëve dhe paraqitjen e dokumentave dhe se synimi i tij është që gjyqi të bëhet me nxitim. Duke patur parasysh se sa i rëndësishëm dhe serioz është një proces shkarkimi, rezoluta e Senatorit McConnell është një turp kombëtar”.

 

Avokatët e presidentit Donald Trump e konsiderojnë procesin e shkarkimit si një përpjekje të opozitës për të penguar rizgjedhjen e tij në krye të shtetit në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit.

 

Senatori Mitch  McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të mbarojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë duke e shpallur presidentin të pafajshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *