Gjykata i hap rrugë kandidimit në zgjedhje Silvio Berlusconit

Gjykata e Milanos vendosi rehabilitimin e Silvio Berlusconit, duke anulluar dënimin e vitit 2013 për evazion fiscal I cili e ndalonte të merrte pjesë në zgjedhje për 6 vjet. Kjo do të thotë se tashmë 82-vjeçari, mund të kandidojë sërish në zgjedhje dhe të rikthehet fuqishëm në skenën politike. Zgjedhjet e 4 marsit ishin një zhgënjim për partinë e tij, Forza Italia e cila u spostua e dyta brenda Aleancës.
Triumfi i Matteo Salvinit ishte e para disfatë e këtij lloji për Berlusconin në 25 vitet e tij në politikë. Ai shprehej i bindur se Lega Nord nuk do t’ia kthente shpinën aleateve konservatorë duke u bashkuar me “5 Yjet”. Por së fundmi, ishte vetë ish-kryeministri ai që u detyrua të spostohej pas përpjekjeve të dështuara nga të gjitha krahët për zhbllokimin e situatës dhe parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Përpara pak ditësh Berlusconi ia la të hapur rrugën Salvinit që të tentojë krijimin e ekzekutivit të ri me lëvizjen populiste te Luigi di Maio-s. Ndërkohë, Presidenti Sergio Mattarella i ka dhënë kohë dy partive deri të dielën për arritjen e marrëveshjes së koalicionit. Edhe sot janë mbledhur grupet e punës të Lëvizjes 5 Yjet dhe Lega për të vazhduar shqyrtimin e të gjitha pikave e temave që janë vendosur në tavolinë.
Dy partitë, kundërshtare të kufizimeve buxhetore të diktuara nga Bashkimi Europian, kanë bërë premtime elektorale që do të kushtojnë miliarda euro për t’u zbatuar.
Megjithatë, krijimi sa më i shpejtë i qeverisë mbetet prioritet për Italinë, që është përfshirë në një ngërç politik që prej zgjedhjeve të 4 marsit, ku blloku i qendrës së djathtë, fitoi shumicën e vendeve në parlament, ndërkohë që 5 Yjet u konfirmuan si partia më e madhe në vend.




