Gjykata e Lartë ka mirëpritur të hënën tre anëtarët më të rinj të trupës gjyqësore.

Në një ceremoni mirëseardhje është uruar fillimi i detyrës për gjyqtarët Sokol Ngresi, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në sallën e Kolegjeve të Bashkuara merrnin pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, anëtarë të tjerë të KLGJ, si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës Z. Bledar Dervishaj.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate Z. Sokol Sadushi u shpreh se, Gjykata e Lartë ndjehet e vlerësuar me ardhjen e kolegëve të rinj, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre profesionalizëm dhe integritet, duke theksuar faktin se emërimi i tyre do të ndihmojë në gjykimin e më shumë çështjeve gjyqësore, në të tre kolegjet (administrativ, civil, dhe penal).

Ai e vlerësoi angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë gjyqtarët më të mirë në Gjykatën e Lartë, proces i cili kërkon natyrshëm kohë dhe profesionalizëm. Duke i uruar suksese gjyqtarëve, Z.Sadushi theksoi se shtimi i radhës së gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet në Gjykatën e Lartë, sjell pa dyshim përmbushjen me sukses të asaj çfarë kërkon publiku në çdo kohë, besimin tek organet e drejtësisë, në mënyrë që qytetari të ketë mbrojtjen dhe sigurinë maksimale që i jep ligji.

Nga ana e saj Kryetarja e KLGJ Znj. Naureda Llagami u shpreh se ardhja e gjyqtarëve të rinj dhe të kualifikuar në Gjykatën e Lartë, rrit pritshmëritë për një drejtësi sa më cilësore dhe vendimmarrje sa më të shpejtë, për të bërë të mundur evadimin e numrit të lartë të çështjeve që presin të gjykohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *