Subscribe

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për rekurs të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për ndryshim të masës së sigurisë.

 

Vendimi u mor ditën e enjte në dhomë këshillimi, nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici. Togat e zeza vendosën të lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

 

Lefter Koka u arrestua nga SPAK për çështjen e inceneratoreve. Ai akuzohet nga SPAK se ka përfituar përmes skemave korruptive afro 3.7 milionë euro për koncesionin e trajtimit të mbetjeve në Elbasan.

 

Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, si dhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

 

Në kërkim policor për këtë aferë korruptive vijojnë të mbeten ende Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, administratorë të kompanive konçensionare. Këta të fundit mendohet se janë larguar jashtë Shqipërisë, për t’i shpëtuar arrestimit.

 

Nga hetimet, Prokuroria Antikorrupsion konstatoi se koncesioni i trajtimit të mbetjeve është dhënë në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar kompaninë e Stela Gugalljas. Pasi u shpall fituese, Gugallja së bashku me Klodian Zoton, që do të ndërtonte inceneratorin me kompaninë e tij, lëshuan fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë ato nuk i kishin kryer.

 

Ndaj ish-ministrit rëndomë dha një tjetër masë “arresti me burg” për inceneratorin e Fierit, ku dhe aty dyshohet se ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro. Ndërkohë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako i akuzuar për këtë çështje u la i lirë të enjten, ndërsa SPAK njoftoi se do ta apelojë vendimin në gjykatën e posaçme të Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *