Gjykata e Apelit lë në burg Fredi Alizotin

Fredi Alizoti, personi që ka pranuar se ka imituar zërin e Agron Xhafajt, në audiopërgjimin e babales, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Apelit në Tiranë e la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të. Alizoti akuzohet për veprën penale të “kallëzimit të rremë”.
Kolegji penal la të pandryshuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” edhe për gazetarin Jetmir Olldashi. Ndërsa Albert Veliu, i njohur si babalja, nuk e ka ankimuar masën “arrest në burg” dhënë në mungesë për të, pasi ndodhet në Kosovë, me statusin e azilkërkuesit. Po për të njëjtën çështje, në gjendje të lire po hetohet edhe deputeti demokrat Ervin Salianji. Fillimisht çështja u hetua nga krimet e rënda, por më pas i kaloi për kompetencë prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë që hetimet për akuzën e trafikimit të drogës po vijojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.




