Subscribe

Sot në Gjykatën e Apelit është hedhur shorti për vulën e Partisë Demokratike.

Vizion Plus mëson se Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bizati janë gjyqtaret e Apelit që do të vendosin për fatin e organeve drejtuese të Partisë Demokratike.

Shorti për trupën e re gjyqësore është hedhur vetëm 24 orë pasi Gjykata e Lartë publikoi vendimin e arsyetuar, një vendim i cili i ka bërë optimistë demokratët e drejtuar nga Sali Berisha.

Sekretari për çështjet ligjore, Ivi Kaso, shpjegon se të dyja arsyet që motivuan apelin të kthejë çështjen për rishqyrtim, janë rrëzuar nga kolegji civil.

“Në radhë të parë papajtueshmëria sipas gjykatës së apelit e gjyqtarit Zhukri për të shqyrtuar këtë çështje dhe një problem procedurial, sipas gjykatës së apelit gjithmonë, i cili e bënte të cenueshme këtë vendimmarrje. Të dyja këto arsye nuk qëndronin, të dyja këto arsye ishin arsye të stisura dhe për më tepër ishin arsye të cilat nuk ia kishte parashtruar askush gjykatës së apelit nëpërmjet ankimit pra gjykata e apelit kishte dalë tej kompetencave të saj në shqyrtimin e kësaj çështje”, tha Kaso.

Sipas Ivi Kasos kanë kaluar dy vite nga vendimi i gjykatës së shkallës së parë, e cila njohu si të ligjshëm kuvendin e 11 dhjetorit dhe tashmë apeli pa vonesë duhet të shprehet për këtë çështje.

“Jemi besimplotë që pas kësaj vendimmarrje të rëndësishme të gjykatës së lartë, e cila përcakton edhe linjat guidë të cilat gjykata e apelit duhet të ketë parasysh në shqyrtimin e kësaj çështje rishtas me një trupë tjetër gjykuese, kësaj odiseje për fat të mirë po I vjen fundi dhe shumë shpejt demokratët do të kenë certifikimin përfundimtar të organeve të veta drejtuese të PD, simbolet e reja të PD të cilat ata I kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të lirë në kuvendin e 11 dhjetorit.”

Në 11 dhjetorin e vitit 2021 lideri i demokratëve Sali Berisha mblodhi kuvendin kombëtar të PD, kuvend në të cilin u shkarkua Lulzim Basha, u miratua statutit i ri i PD dhe u zgjodhën organet e reja drejtuese të forcës më të madhe politike të opozitës.

Në 25 marsin e vitit 2022 gjyqtari Agron Zhukri njohu si të ligjshëm këtë kuvend, duke njohur rrjedhimisht Sali Berishën si kryetarin e Partisë Demokratike. Por në marsin e vitit 2023, 3 ditë para se të përfundonte afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet lokale, gjykata e Apelit vendosi ta kthejë çështjen për rishqyrtim edhe njëherë në shkallën e parë. Për këtë arsye Sali Berisha dhe demokratët që e mbështesin hynë në zgjedhje me koalicionin “Bashkë fitojmë”.

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, në 15 majin e vitit 2023, Ivi Kaso në emër të demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha iu drejtua gjykatës së lartë. Në 27 dhjetorin e vitit të kaluar gjykata e larte rrëzoi Apelin, duke kërkuar rishqyrtimin e çështjes.
Kur nga zgjedhjet parlamentare na ndan rreth një vit do të jetë gjykata e Apelit, e cila do të vendosë nëse Sali Berisha është apo jo kryetari i Partisë Demokratike apo logon e PD ka të drejtë ta përdorë Lulzim Basha.

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *