Subscribe

12 ditë pas arrestimit të tij në Mitrovicë, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, vizitoi serish veriun, por këtë herë i pajisur me lejen e autoriteteve te Prishtinës. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila dha leje në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së Pashkëve.

 

Gjuriç mbërriti mbrëmjen e së shtunës në Kosovë, për t’iu bashkuar kremtimit të festes në manastirin e Basnjkës.

 

Mediat serbe shkruajnë se të pranishëm kanë qenë edhe anëtarë të Listës Serbe. Ndërsa Gjuriç është shprehur se “Serbia do të jetë gjithmonë me popullin e saj në Kosovë dhe Metohi”, dhe pavarësisht se serbët janë të paktë në numër, ata janë një popull i guximshëm dhe liridashës.

 

“Do të mbijetojmë dhe do që qëndrojmë këtu në Kosovë dhe Metohi. Ne si Serbi, dimë se si ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë, sepse këtu për më shumë se një mijë vjet është ndërtuar identiteti i tërë popullit serb. Është ndërtuar në të kaluarën, po ndërtohet sot dhe të jeni të sigurt se do të ndërtohet edhe në të ardhmen”.

 

Më 26 mars, autoritetet e Kosovës arrestuan shefin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, për shkak se hyri pa u pajisur me lejen përkatëse, dhe e lanë të lirë një ditë më pas.

 

Arrestimi i Gjuriç shkaktoi jo pak tensione mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai vet e konsideroi këtë veprim si një përpjekje për të poshtëruar Serbinë. Bashkimi Eurpian dhe Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për ruajtjen e qetësisë në të mirë të dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *