Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç pranoi humbjen për herë të parë pas 31 vjetësh në pushtet. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Malin e Zi, partia e tij, PSD, lëshoi shumicën qeverisëse.

Gjukanoviç, që herë ka qenë kryeministër e herë president, tha se nuk do të bëhet pengesë për krijimin e qeverisë së re.

Ai deklaroi në një intervistë për “Newsmax Adria” se do të mandatojë atë koalicion që siguron 41 mandate.

“PSD është forca politike që ka udhëhequr Malin e Zi në rrugën e zhvillimit evropian. Ne jemi ende partia më e fortë politike në skenën politike malazeze dhe besoj se në bllokun për Evropën, i cili do të konstituohet në parlamentin malazez, ne do të përfaqësojmë një forcë shumë të respektuar. Kur bëhet fjalë për konstituimin e një qeverie të re, ne do të respektojmë, si në çdo gjë, cilat janë rregullat demokratike të civilizimit modern. Ai që ka 41 mandate në Parlamentin e Malit të Zi, do të ketë mundësinë për të formuar një qeveri.”

Gjukanoviç komentoi edhe festën nga pala fituese. Ai pranoi se ka arsye për të festuar, por shtoi se duhet të ruhet një qëndrim më i civilizuar, duke shmangur kështu inicidentet.

Nga ana tjetër, Gjukanoviç frikësohet se marrja e pushtetit nga rivalët proserbë do ta rikthejë vendin në debatet e vjetra nacionaliste.

“Edhe nacionalizmi i viteve 90 vazhdon të jetë gjallë, është rizgjuar në rrethana të reja, nga stimuj të rinj dhe tani po tenton ta kthejë prapa rrotën e historisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *