Mijëra qytetarë që jetojnë në zonat rurale kanë bërë investime në banesat e tyre, siç janë rregullimi i çative, izolim, mure rrethuese apo punime të ngjashme.
Këto ndërhyrje janë bërë pa marrë më parë miratimin në bashki, pra lejen e ndërtimit, sikundër e kërkonte ligji.
Janë këto rastet që qytetarët në këto zona janë gjobitur dhe mazhoranca kërkon t’i amnistojë këto penalitete.
Rakip Suli, kryetar i bashkisë Kamëz, gjatë një interviste për emisioni “E-ZONE” tregon se pse janë penalizuar qytetarët.
“Është e padrejtë që qytetarët të gjobiten pse po bëjnë investim për termoizilimin e banesës së tyre. Një procedurë e tillë kërkonte leje në bashki. Qytetarët jo se nuk e kanë ditur që duhet të aplikonin, por e kanë neglizhuar pasi ata nuk po bëjnë një ndërtim të ri, por ndërhyrje të brendshme në shtëpitë e tyre. Gjobat janë të rënda, arrijnë dhe në miliona lekë. Kjo është arsyeja pse ata janë penalizuar. 90% e gjobave nuk janë paguar nga qytetarët, ndaj nisma e mazhorancës është mëse e domosdoshme”, tha Suli.
Por kreu i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, thotë se qytetarët janë gjobitur, pasi kostot për të aplikuar kanë qenë të larta. Ndaj ndryshimet ligjore që thjeshtuan këto procedura tre muaj më parë ishin të nevojshme.
“Me ndryshimet ligjore, që u hoq e drejta për aplikim në rast se qytetarët duhet të bëjnë ndërhyrje në banesat e tyre, ata kanë kursyer në aspektin financiar, pasi kostot që paguheshin për të hartuar projektin, arkitektin, ishin një barrë për ta. Thjeshtëzime procedurash janë bërë, por unë do të thoja që ka nevojë për disa kompetenca më shumë t’i kishin bashkitë. Për shembull sot që flasim policia e rendit denoncon pranë prokurorisë si ndërtim pa leje, çdo rast. Kjo na krijon probleme me qytetarët”, tha Topçiu në Vizion Plus.
Vite më parë qeveria ashpëroi rregullat për ndërtim me qëllim frenimin e ndërtimeve pa leje. Por këto rregulla duket se prodhuan padrejtësi, pasi janë penalizuar qytetarët në zonat rurale, të cilët për një ndërhyrje të brendshme në banesë kanë marrë gjoba që nuk janë aspak në proporcion me shkeljet e pretenduara. Ndaj këto gjoba po kërkohet të falen./vizionplus.tv





