Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që “të ndalojë menjëherë” ofensivën ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.

Ndërsa lexoi vendimin, Presidenti i GJND, Nawaf Salam tha se gjendja në Gazë është përkeqësuar dhe se “shteti i Izraelit duhet të ndalojë menjëherë ofensivën ushtarake dhe çdo veprim tjetër në rajonin e Rafahut, që mund të verë në rrezik jetën e palestinezëve në Gazë”.

Gjykata po ashtu urdhëroi Izraelin që të hapë menjëherë pikën kufitare mes Egjiptit dhe Gazës për të bërë të mundur kalimin e ndihmave humanitare.

Vendimi i sotëm i Gjykatës me seli në Hagë, erdhi pas kërkesës së Afrikës së Jugut që kërkoi ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që njihet edhe si Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve. Vendimet e saj janë përfundimatare, por në të shkuarën nuk janë zbatuar. Gjykata nuk ka fuqi detyruese.

Ka pak të ngjarë që Izraeli të zbatojë vendimin e sotëm, por ai rrit trysninë mbi vendin gjithnjë e më të izoluar. Kritikat ndaj Izraelit mbi mënyrën se si po zhvillon luftën në Gazë janë rritur, veçanërist lidhur me operacionet në Rafah. Kritikat kanë ardhur madje edhe nga aleati i saj më i ngushtë, Shtetet e Bashkuara./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *