“Jeta e gjyqtarëve e prokurorëve u vu në rrezik, e askush nuk ishte aty për t’i mbrojtur.” Kjo është deklarata e bërë nga Gjykata e Posaçme, që ka treguar jo vetëm shqetësimin e saj, por kërkon edhe përgjegjësit. Fjala është për protestën në mbrojtje të Erion Veliajt gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, ku tubuesit ndaluan furgonin e policisë, ndërsa kjo e fundit nuk reagoi.
GJKKO: Nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit.
Jo vetëm kaq por protestuesit, sipas Gjykatës, goditën makinat e magjistratëve.
GJKKO: Një tjetër fakt i rëndësishëm mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të Gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.
Sipas Gjyaktës së Posaçme, edhe pse u njoftua, policia nuk veproi.
GJKKO: Punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e tjera.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit marrjen e masave me qëllim vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore të të gjithë personave që nuk monitoruan dhe garantuan sigurinë e gjyqytarëve e prokurorëve të posaçëm./vizionplus.tv