Athina zyrtare ka kundërshtuar vendimin e radhës të drejtësisë shqiptare për të lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.

 

Disa orë pas vendimit të GJKKO-së, Ministria e Jashtme greke përmes një reagimi zyrtar shprehet se vendimi bie ndesh me ligjet e të drejtës europiane.

 

“Vendimi i sotëm i gjykatës shqiptare, e cila tre muaj pas arrestimit dhe burgimit të tij, rrëzon kërkesën për lirim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe pengon betimin e tij si kryetar i zgjedhur i saj, prezumimit të pafajësisë dhe respektimit të të drejtave politike të të gjithë qytetarëve. Është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet e së drejtës Europiane, të cilën autoritetet shqiptare duhet ta respektojnë rreptësisht”, thuhet në reagimin e Athinës zyrtare.

 

Autoritetet greke kanë ‘kërcënuar’ vazhdimisht Shqipërinë për ecurinë e saj në Bashkimin Europian, nëse Beleri nuk lirohet. Ky i fundit u la në burg pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

Ndërkohë drejtësia shqiptare ka vulosur dhe njëherë qëndrimin e saj. Kërkesës së Fredi Belerit për të lënë qelinë e paraburgimit Gjykata e Posaçme i tha jo. Përmes avokatëve ai kishte bërë kërkesë për zbutjen e masës së sigurisë, por ajo u rrëzua nga gjyqtarja e çështjes, Flojera Davidhi, e cila arsyetoi se nuk ekzistojnë kushtet që i zgjedhuri i himarjotëve të rifitojë lirinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *