Për sulmin me armë kimike në Siri tashmë asnjë lider botëror nuk ka dyshime se përgjegjës është Bashar Al Assad, diktatori që udhëheq vendin dhe që dyshimet janë se është nxitësi i një lufte gjakatare në lindjen e mesme që e përfshiu gjithë rajonin. Nëse botës nuk i mjaftuan miliona të shpërngulur, qindra-mijëra të vrarë, mijëra vetë që iu prenë kokat, shkatërrimi i themeleve të historisë botërore, tempujve mijëra vjeçarë si ato të Palmirës, duket se gropën këtij udhëheqësi po ia bëjnë 70 viktimat e fundit. Mbarë bota diplomatike sot reagoi ashpër, ndërsa SHBA vuri në dyshim seriozitetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Sigurimit. Reagim i ashpër edhi nga liderët fetarë siç ishte ai i Papës i cili nga sheshi Shën Pjetër u shpreh se “Jam i çmeritur” dhe këtë radhë ai nuk lëshoi një lutje për ndalje të luftë por tha prerë “Kjo duhet të marrë fund”. Por reagimet e ashpra sonte në mbrëmje erdhën edhe nga vendet arabe, afrikane dhe të Lindjes së Mesme.

 

Liga Arabe: Sulmi në Siri një krim madhor

 

Shefi i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit e cilësoi sot si krim madhor sulmin kimik të dyshuar që shkaktoi 72 të vdekur në Siri, ku shumë ishin fëmijë. “Të shënjestrosh dhe të vrasësh civilë me këto metoda të ndaluara konsiderohet si një krim madhor dhe një veprim barbar”, theksoi Aboul Gheit në një komunikatë. “Autorët e sulmit nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë dhe duhet të ndëshkohen nga komuniteti ndërkombëtar sipas të drejtave humanitare ndërkombëtare”, vazhdoi ai pa përcaktuar një përgjegjës.

 

Erdogani akuzon Asadin për sulmin kimik

 

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kritikoi ashpër sot presidentin sirian Bashar al Asad, i cili e cilësoi si “vrasës” duke e akuzuar për sulmin e dyshuar kimik që shkaktoi dhjetëra të vrarë. “Më shumë se 100 persona u vranë, mes të cilëve 50 fëmijë (…) Asad vrasësi! Si do t’i shpëtosh ti mallkimit të tyre?”, deklaroi Erdogani gjatë një fjalimi në Bursa (veriperëndim të Turqisë).

 

Tusk: Regjimi sirian përgjegjësi kryesor i sulmit kimik

 

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk akuzoi regjimin sirian si përgjegjësin kryesor të akteve makabre në Siri. “Sulmi nuk ka kursyer fëmijë, gra dhe burra me përdorimin e armëve kimike si  një formë kujtesë ndaj së kaluarës së errët të brutalitetit të konfliktit dhe regjimit sirian, i cili është përgjegjësi kryesor i akteve makabre në Siri dhe atyre që e mbështesin, të cilët kanë të njëjtën përgjegjësi”, deklaroi Tusk gjatë një konference shtypi në Athinë.

 

Moska: Projektrezoluta e OKB-së mbi Sirinë e papranueshme

 

Rusia e gjykon të papranueshme projektrezolutën e paraqitur në OKB nga SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe ku dënohet sulmi kimik në Siri i pretenduar, njoftoi sot Ministria ruse e Punëve të Jashtme. “Teksti i prezantuar është kategorikisht i papranueshëm. Problemi i tij është se i paraprin rezultateve të hetimit dhe përcakton fajtorin, me Damaskun në rolin e fajtorit”, deklaroi gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i ministrisë, Maria Zaharova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *