Socialistët janë gati për të hyrë në zgjedhjet e pjesshme vendore.

Pasi kryesocialisti Edi Rama mblodhi për të dytën herë brenda pak ditësh kryesinë, numri dy i PS-së, Damian Gjiknuri tha se janë në pritje të dekretit të presidentit Ilir Meta, për të zgjedhur drejtuesit e rinj vendor në bashkitë që kanë mbetur pa kryetar.

 

DAMIAN GJIKNURI

SEKRETAR I PERGJITHSHEM I PS

 

Ne jemi gati edhe për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do t’i dekretojë ato. Kjo është një çështje që do të qartësohet pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk ka pse të vonojë me vendimin, sepse opinioni i Venecias ishte shumë i qartë. Kjo do të thotë se brenda 45 ditësh, siç e ka Kushtetuta, Presidenti duhet të dekretojë zgjedhjet.Ne jemi të gatshëm në çdo moment të marrim pjesë në zgjedhje dhe patjetër ti fitojmë ato. Arsyeja e fokusimit tonë tek partia është sepse në fund të fundit, Partia Socialiste fitoi zgjedhjet, konkurron si parti dhe qeverisja është produkt i reflektimit të interesave të shqiptarëve.Kështu që partia është në fokus, sepse partia është ajo që konkurron në zgjedhje.

 

Po aq Partia Socialiste është në përgatitje të propozimeve të saj për ndryshimet e pritshme në ligjin elektoral, pas shprehjes së vullnetit për të ngritur komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore.

 

Deri më tani kërkesa e artikuluar nga Partia Demokratike kërkon zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të bëra në 30 Korrikun e një viti më parë nga mazhoranca qeverisëse, që ndalon koalicionet parazgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *