Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, bashkë me kandidatin socialist Besian Ajazi zhvilluan një bashkëbisedim me studentë nga Gramshi të cilët jetojnë në kryeqytet.

Numri dy i socialistëve, Damian Gjiknuri u shpreh se sot Gramshi është shumë më afër me Tiranën, duke gjeneruar potenciale të reja.

 

“Gramshi tashmë është më afër se kur shkoja unë si deputet në opozitë, kur ca nga ju ishin akoma shumë të vegjël, Gramshi ka qenë keq dhe për rrugë. Sot për një orë nga Tirana shkon në Gramsh. Gramshi ka goxha potenciale. Mua më vjen mirë se Besi është një nga ato shembujt frymëzues dhe për ju. Një djalë që iku nga Gramshi, studioi bëri karrierën e tij, por prapë sytë dhe mendjen e pati në Gramsh. Shumë të rinj dhe të reja gramshiotë jam i bindur që do mbarojnë shkollat dhe do kenë shumë mundësi të mira në Gramsh. Ka shumë profesione që ka nevojë Gramshi. Ky rreth ka pasur një traditë dhe realisht ka qenë një nga rrethet më të emancipuara të qarkut të Elbasanit, të mbahet gjallë nga të rinjtë dhe të rejat”, tha ai.

Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, deklaroi se Besian Ajazi ka mentalitetin dhe vizionin për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë.

 

“Mundësitë janë të jashtëzakonshme sot. Jam i bindur që Besi dhe si djalë i ri edhe mentalitetin e vizionin e tij shumë më modern dhe të përparuar do krijojë më shumë mundësi për të rinjtë. Mos e lini vendin tuaj. Është shumë afër Tiranës. Kthejini sytë dhe ndërtoni të ardhmen aty sepse është një vend që meriton begati. Jam i bindur që me të rinjtë dhe të rejat e Gramshit, edhe Besi si shembull i mirë, ta çoni përpara. Prandaj dua që të gjithë shokët dhe shoqet të votoni për Besin, të votoni për Partinë Socialiste sepse është partia që jo vetëm e ka pasur vëmendjen te Gramshi, por është dhe partia më moderne, më përparimtare dhe shumë më afër asaj ç’ka kërkojnë të rinjtë sot. Merrni nga një shok me vete, edhe ata që s’janë këtu, dhe shkoni votoni për 14 maj”, theksoi Gjiknuri.

 

Teksa prezantuan vizionin për zhvillimin e Gramshit, kandidati Besian Ajazi theksoi se PS ka treguar se ka qenë gjithmonë një alternativë dinjitoze. Ai shprehu bindjen se në katër vitet e ardhshme me mbështetjen dhe të PS për Gramshin do të bëhen shumë punë të mira.

“Një pjesë e mirë e juaja kanë qenë ose janë pjesë aktive e FRESSH, Forumit Rinor. Unë e kam thënë gjithmonë, do ta them edhe këtu te ju, që duhet të angazhoheni në politikë. Është një mundësi që secili të japë kontributin e vet në zhvillimin e qytetit tonë, Gramshit. Partia Socialiste gjithmonë ka një alternativë përfaqësuese, dinjitoze, por edhe mbështetëse e të rinjve. Unë jam i bindur që në katër vitet e ardhshme me mbështetjen e drejtuesit politik të qarkut, por edhe të qeverisë do të arrijmë të bëjmë punë të mira për ti pasur sa më aktiv të rinjtë në qytetin tonë. Këtu nuk jemi mbledhur për ti mbushur mendjen njëri – tjetrit por kemi ardhur që edhe të bëjmë gëzuar, edhe të festojmë që në 14 maj të dalim ne fitues, jo ata të tjerët. Ne jemi shumë, ne jemi më të mirët”, theksoi Ajazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *