Alarmi për valën e katërt të pandemisë e ka vënë në lëvizje edhe Gjermaninë, sidomos pasi numri i infektimeve të sjella nga udhëtimet jashtë vendit po rritet. Nga kjo e dielë, qeveria ashpërson rregullat për personat që nuk janë vaksinuar duke detyruar testimin për ata që kthehen nga pushimet.

 

Të gjithë qytetarët nga mosha 12-vjeçare duhet të kenë testin negativ, vërtetimin e vaksinimit apo shërimit nga virusi. Ky rregull vlente për pasagjerët ajrorë, por nga dita e sotme do të aplikohet për të gjitha rrugët e hyrjes në Gjermani.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë se e quan të mundur, që të mos ofrohen më falas testet për të pavaksinuarit, ndoshta nga fundi i muajit shtator.

Edhe ministri i Financave, Olaf Scholz ka deklaruar se testet për covid 19, duhet të bëhen me pagesë, brenda pak javësh, kur të gjithë të kenë mundësinë të imunizohen. Sipas tabloidit “Bild”, testet falas po i kushtojnë qeverisë, më shumë se 3.4 miliardë euro.

Deri më tani, 51% e popullsisë janë vaksinuar plotësisht, por ekspertët thonë se nuk është e mjaftueshme për të parandaluar valën e katërt të pandemisë. Instituti gjerman Robert Koch për sëmundjet infektive bën të ditur se vlera e incidencës shtatë ditore po rritet me ritme të shpejta.
Në krahasim me vendet e tjera të Europës, Gjermania mbetet në vlera më të ulëta të infeksioneve të reja por shqetësimet po rriten në lidhje me variantin shumë ngjitës delta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *