Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, bënë thirrje të shtunën për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por tërhoqën vërejtjen se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet palëve.

Në një shkrim të përbashkët, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe ai gjerman, Heiko Maas, thanë se situata e pazgjidhur ndërmjet të dyja vendeve mbetet një faktor destabilizues për Ballkanin dhe sigurinë evropiane.

Në artikull theksohet se “qëllimi i bisedimeve është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe ndihmon qëndrueshmërinë rajonale”.

Dy ministrat e Jashtëm thonë se janë të vetëdijshëm për çështjet e shumta të hapura që duhet të zgjidhen para se të arrihet një marrëveshje, por theksuan se nuk ka një rrugë të shkurtër apo zgjidhje të shpejtë.

Ata thanë se mirëpresin bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë periudhës së koronavirusit ndërsa kërkuan zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve që nga viti 2011.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe për këtë po pret Bashkimin Evropian.

“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ai natyrisht se tash është duke përgatitur fillimin e dialogut, ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur dhe organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë kushtetuta ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës. Pra varet prej Brukselit kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, tha zoti Kurti.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillonin bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike dhe me qeveri në detyrë.

Java e ardhshme në Kosovë shihet si vendimtare për situatën politike pasi që gjykata Kushtetuese pritet të publikojë vendimin për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur deri më 29 maj masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës dhe deri në atë ditë pritet të shpallë vendimin e saj për kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi.

Përgjatë debateve që pasuan vendimin e gjykatës për pezullimin e dekretit deri në vendimin përfundimtar, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë shkëmbyer polemika në distancë, ndonëse që të dy kanë theksuar se duhet lënë Gjykatën të punojë pa trysni.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së kornavirusit që nga 25 marsi kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Përgjatë debateve rreth rrëzimit të qeverisë, ringjallën edhe diskutimet se cila mund të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi dyshimet se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë një ujdi rreth shkëmbimit të territoreve dhe se një mundësi e tillë mund të jetë diskutuar edhe me zyrtarët amerikanë.

Kjo është hedhur poshtë në disa raste nga ambasadori Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi. Ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk është diskutuar kurrë në praninë e tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mohoi të jetë diskutuar për një gjë të tillë, por vuri theksin tek domosdoshmëria e pranisë amerikane në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe sic tha ai, “dinamikën e shtuar të këtij angazhimi”.

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara emëruan zotin Mathew Palmer si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor e më pas ambasadorin Richard Grenell, të dërguar të posaçëm të presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Në fillim të këtij viti zoti Grenell, siguroi marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, në një periudhë kur kishte filluar viti i dytë i pezullimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për shkak të tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian u vu në përpjekje që të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe së këndejmi ai emëroi diplomatik sllovak Miroslav Lajçak përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor sipas modelit amerikan./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *