Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, bënë thirrje të shtunën për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por tërhoqën vërejtjen se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet palëve.

Në një shkrim të përbashkët, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe ai gjerman, Heiko Maas, thanë se situata e pazgjidhur ndërmjet dy vendeve mbetet një faktor destabilizues për Ballkanin dhe sigurinë evropiane.

Në artikull theksohet se qëllimi i bisedimeve është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe ndihmon qëndrueshmërinë rajonale”.

Dy ministrat e Jashtëm thonë se janë të vetëdijshëm për çështjet e shumta të hapura që duhet të zgjidhen para se të arrihet një marrëveshje, por theksuan se nuk ka një rrugë të shkurtër apo zgjidhje të shpejtë. Ata thanë se mirëpresin bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë periudhës së koronavirusit ndërsa kërkuan zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve që nga viti 2011.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë zëvendësuar me reciprocitet nga ana e qeverisë së Kosovës por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillonin bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike dhe me qeveri në detyrë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *