Zyrtarët gjermanë të shëndetësisë thanë të enjten se prej muajit prill rastet e reja të personave të infektuar me COVID-19 po përhapen me ritëm më të shpejtë.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe Presidenti i Institutit “Robert Kock” për Kontrollin e Sëmundjeve, Lothar Wieler thanë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin, se numri i rasteve të reja me koronavirus është rritur në mënyrë të qëndrueshme në Gjermani që nga fillimi i shtatorit.

Zoti Wieler u tha gazetarëve se “gjatë ditëve të fundit në Institutin “Robert Koch”, janë raportuar rreth 1000 raste të reja dhe sot madje më shumë se 4,000 raste”.

Zoti Weiler tha se gjatë shtatë ditëve të para të tetorit u vunë re rreth dy herë më shumë raste sesa e njëjta periudhë e muajit shtator. Ai tha se aktualisht mesatarja javore e rasteve të reja në të gjithë vendin është 20.2 raste për 100 mijë banorë ndërsa në fillim të qershorit ishte vetëm tre raste.

Zoti Wieler tha se ritmet e infeksionit po rritet në pothuajse të gjitha rajonet e Gjermanisë dhe siç tha ai, kjo është diçka tejet shqetësuese. Zoti Wieler shtoi se nuk ishte i sigurt se çfarë mund të ndodhte në javët e ardhshme, por tha se Gjermania mund të arrijë deri në 10 mijë raste në ditë dhe se virusi mund të përhapej pa kontroll.

Perspektiva duket veçanërisht alarmuese për një vend që konsiderohet se ka pasur një nga përgjigjet më efektive ndaj pandemisë në Evropë, për të mos thënë në botë.

Zoti Spahn tha se deri më tani Gjermania e ka përballuar mirë krizën. Sistemi shëndetësor ka qenë në gjendje të trajtojë ngarkesën me pacientë ndërsa është vënë re një nivel përgjithësisht i lartë i pranimit dhe zbatimit të kufizimeve nga qytetarët.

Ministri i Shëndetësisë tha se një pjesë e madhe e problemit tashmë janë të rinjtë, të cilët po infektohen nga virusi me një normë më të lartë sesa më herët gjatë vitit. Ai tha se të rinjtë duan të festojnë dhe të udhëtojnë pasi besojnë se janë të paprekshëm.

Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai duke shtuar se “infektimi nga koronavirusi është dhe mbetet një sëmundje e rëndë“.

Zoti Spahn tha se aktualisht situata nuk është jashtë kontrollit dhe nëse vendi bashkohet dhe ndjek udhëzimet, ai mund ta frenojë sërish virusin. “Nëse bëhen bashkë 80 milionë njerëz, shanset që virusi të përhapet bien në mënyrë dramatike. Kjo pandemi është gjithashtu një provë karakteri për ne si shoqëri“, tha ai./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *