Gjermania bën një kthesë në politikën e saj ndaj Ukrainës. Ajo vendos të dërgojë armë të rënda.

 

Në kuadër të takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve të NATO-s në bazën amerikane në Ramstein, në Rheinland-Pfalz, ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se tani kemi vendosur që t’i përgjigjemi kësaj kërkese të Ukrainës.

 

“Ndihma jonë është koordinuar me partnerët e tjerë të NATO-s”, tha ministrja duke pasur parasysh dërgimin e tankeve kundërajrore. Para takimit ajo kishte thënë se qeveria federale vendosi të hënën të furnizojë Ukrainën me tanke kundërajrore. Prodhuesit të armatimeve Krauss-Maffei Wegmann (KMW) do t’i jepet drita jeshile për t’i shitur tanket kundërajrore të rinovuara teknikisht nga stoqet e mëparshme të Bundeswehr-it. Këshilli Federal i Sigurisë, i kryesuar nga kancelari Olaf Scholz, vendos zyrtarisht për miratimin e aplikimeve për eksporte nga industria e armatimeve.

 

Krauss-Maffei Wegmann ka një numër dyshifror të këtyre tankeve nga mbrojtja ajrore e ushtrisë së shpërbërë të Bundeswehr-it. Sipas gazetës Sueddeutsche Zeitung bëhet fjalë për 50 tanke të tipit Leopard, në gjermanisht: Gepard. Me dy mitralozat e tij 35 mm, ky tank mund të luftojë objektivat ajrore si aeroplanët, helikopterët, dronët ose raketat deri në gjashtë kilometra larg. Mund të përdoret gjithashtu në luftime kundër objektivave tokësorë.

 

Do të forcohet procedura e furnizimeve me shkëmbim

 

Lambrecht njoftoi gjithashtu se Gjermania do të zgjerojë furnizimin me armë të rënda me shkëmbim me partnerët në Evropën Lindore, në mënyrë që Ukraina të mund të marrë shpejt armë të rënda që nuk kërkojnë trajnim të gjatë. “Ata po i japin Ukrainës pajisje sovjetike dhe ne po i plotësojmë ato boshllëqe. Ka akoma më shumë që mund të bëhet këtu dhe ne jemi gati ta bëjmë.” Gjermania gjithashtu dëshiron të përfshihet më shumë në trajnimin e trupave ukrainase mbi sistemet e artilerisë në tokën gjermane.

 

Në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës, dy muaj më parë, qeveria gjermane kishte vendosur ta furnizonte Ukrainën vetëm me armë mbrojtëse. Dorëzimi i armëve të rënda si tanke deri më tani ishte refuzuar. Por në javët e fundit ishin shtuar zërat nga koalicioni qeverisës (SPD, Të Gjelbrit dhe FDP) për të dërguar në Ukrainë edhe armë të rënda.

 

Takimi ndërkombëtar i krizës në Ramstein

 

Në bazën më të madhe ajrore amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabit nga 40 vende aleate u mblodhën të këshilloheshin përë forcimin e mëtejshëm ushtarakisht të Ukrainës dhe rindërtimin e saj edhe pas luftës së agresionit rus. Austin tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë ishin të pafalshme. Bota qëndron e bashkuar kundër qeverisë në Moskë./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *