Mbrëmja e së enjtes ndau të tjera bileta për në ëndrrën e botërorit “Katar 2022”.

 

Gjigandët e Europës u treguan të pamëshirshëm këtë herë përballë kundërshtarëve modestë, duke triumfuar me goleadë. Gjermania edhe pse e kishte siguruar kalimin më tej një ndeshje më parë, nuk fali pasi mposhti 9-0 Lihtenshtejnin.

 

Tekniku Flik i dha mundësinë talenteve të rinj të skuadrës, por kjo nuk e pengoi aspak të realizonte festivalin e golave. Të ndihmuar edhe nga kartoni i kuq i Hofer që në minutën e nëntë, pancerat shënuan katër gola që në pjesën e parë me Gundogan , Sane dhe Rois.

 

Edhe në fraksionin e dytë, gjermanët ishin shumë lartë krahasuar me miqtë. Listës së protagonistëve iu bashkua edhe Myler me dy gola, ndërsa një autogol një minutë para fundit, mbylli rezultatin final me shifrat 9-0.

 

Kroacia nuk e diskutoi fitoren dhe mposhti me rezultat të thellë, 7-1 Maltën. Një triumf mëse i merituar i skuadrës së Daliç, që përballet në ndeshjen e fundit me Rusinë dhe një fitore e mundshme i siguron vendin e parë në grup dhe biletën direkte për në Botëror.

 

Në grupin A, Portugalia u ndal në barazim pa gola nga Irlanda dhe ndeshja e fundit kundër Serbisë do të jetë vendimtare për kualifikimin në Botëror. Ndërsa Spanja bëri detyrën ndaj Greqisë dhe tani i mjafton një barazim për të siguruar vendin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *