Aksioni i doganës gjermane të martën ishte pjesë e një kontrolli të përgjithshëm kundër punës në të zezë në Gjermani. Qëllimi ishte të kontrollohej respektimi i detyrimit të sigurimeve sociale dhe pagës minimale, si edhe zbulimi i punës ilegale. Në të gjithë Gjermaninë u angazhuan për kontrolle 3400 punonjës të doganës gjermane, sipas të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës. Në fokus ishin sidomos kantieret e mëdha të ndërtimit, ku shpesh gjenden raste të punësimit ilegal. Prej vitesh në Gjermani gjenden mijëra vetë nga Ballkani, që punojnë sidomos në kantieret e ndërtimit në të zezë dhe në kushte të këqija pune. Sipas një zëdhënësi të Doganës Qendrore të Shvainfurtit “sektori i ndërtimit është shumë i prekur nga puna në të zezë dhe punësimi ilegal”.

Vetëm në landin e Meklenburg-Pomeranisë u kontrolluan 610 vetë dhe në 48 raste u gjetën persona pa dokumente të rregullta që duhen verifikuar më tej. Në Hannover në një kantier ndërtimi nga 69 të punësuar, u gjetën 47 persona me dokumente të pasakta, që po ashtu do të kontrollohen më tej. Edhe në landin Renani Veriore-Vestfali u bënë kontrolle nga qindra punonjës të doganës. Në Köln nga 350 persona të kontrolluar në ndërtim u gjetën 30 vetë që punonin në të zezë. Pra gati çdo i dhjeti person. Shumica u gjetën në një kantier ndërtimi në Këln-Dojtc. Jens Ahland, zëdhënës i Doganës Qendrore të Kölnit tha se “bëhet fjalë të kontrollohet nëse punëtorët kanë lejen e punës, apo nëse marrin asistencë sociale dhe natyrisht nëse punëdhënësit e respektojnë dhënien e pagës minimale”.

Përmes punës ilegale shtetit gjerman i shkaktohet një dëm i madh financiar. – Vetëm vitin e kaluar u kontrolluan në 15.000 raste punëdhënësit e sektorit të ndërtimit. Në më shumë se 21.000 raste pati procedime hetimore vitin e kaluar. Dëmi i shkaktuar sipas doganës kapi shifrën e 375 milionë eurove. Të dhënat e mbledhura nga autoritetet doganore pas kontrollit të djeshëm do të verifikohen dhe një pjesë bëhen të ditura ne vijim../DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *