Gjendet kanabis i mbjellë në Fushë-Krujë, 8 të arrestuar

Efektivet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Fushë – Krujë dhe Prokurorinë e Rrethit kanë finalizuar me sukses dy operacione policore kundër kultivimit të bimëve narkotike, të koduar “Arrameras 3” dhe “Gramëz 2”, nga ku 8 persona u arrestuan dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim.
Gjatë operacionit u sekuestruan nga ana e policisë bimë dhe boçe Cannabis Sativa, si dhe municion luftarak.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Policia bën me dije se gjatë operacionit “Arrameras 2” u arrestuan shtetasit E. S., 32 vjeç dhe Y. S., 27 vjeç, të dy banues në Arrameras, Fushë – Krujë. Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi A. S., 50 vjeç , banues në Arrameras, Fushë – Krujë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e shtetasve të mësipërm u konstatua se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike Canabis Sativa, ndërsa u gjetën e u sekuestruan 200 bimë Cannabis Sativa; e një krehër automatiku model 56 dhe 50 fishekë model 7.62 mm.
Ndërsa gjatë oepracionit “Gramza 2” u arrestuan shtetasit A. C., 26 vjeç, R. C., 34 vjeç, Gj. C., 46 vjeç, G. S., 32 vjeç, Gj. S., 32 vjeç, dhe L. S., 50 vjeç, të gjithë banues në Gramëz, Fushë – Krujë.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve Sh. S., 40 vjeç dhe K. S., 46 vjeç, banues po në Gramëz , Fushë – Krujë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e shtetasve të mësipërm policia gjeti e sekuestroi 150 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa; 9 kg boçe Cannabis Sativa; dhe 1 fishek model 56, kalibër 7.62 mm.
Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lire, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasi Gj. L., 53 vjeç, kryeplaku i fshatit Gramëz.




