Gjendet i vdekur 55-vjeçari shqiptar në rezervuarin e ujërave të zeza në Greqi, çfarë dyshohet

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Dafnes të Heraklios, në Greqi, ku një 55-vjeçar me origjinë shqiptare u gjet i pajetë brenda një kanali ujërash të zeza.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, kontraktori kishte dërguar dy punëtorë në vendin e ngjarjes, pasi niveli i ujërave të ndotura kishte kaluar kufijtë e lejuar dhe kërkohej ndërhyrje. Gjatë punimeve, njëri prej punëtorëve e humbi nga sytë kolegun shqiptar dhe kur nuk arriti ta gjente, dyshoi se ai kishte rënë brenda depozitës.
Menjëherë u lajmëruan autoritetet dhe në vendngjarje mbërritën forcat e shpëtimit të EMΑK-ut, të cilat nisën një operacion për nxjerrjen e trupit. Fatkeqësisht, trupi i pajetë i 55-vjeçarit u nxor disa minuta më vonë.

Burime nga vendngjarja thonë se, nëse rënia e tij do të ishte vërejtur menjëherë, ndoshta ai mund të ishte shpëtuar, çka e bën tragjedinë edhe më të rëndë.
Rrethanat e sakta të ngjarjes po hetohen, ndërsa pritet që autopsia të sqarojë shkakun e saktë të vdekjes.
/vizionplus.tv




