Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata deklaroi se vendimi i KQZ-së për të mos shkarkuar kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj, provon aleancën e kryeministrit Edi Rama me krimin.

Në një deklaratë për mediat, Gjata pohoi se PD do ta ankimojë këtë vendim, të cilin e cilësoi politik dhe të paligjshem.

Ai theksoi se në këto 7 vjet të drejtimit të vendit, Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike më shumë se 600 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave.

Sipas tij, Rama vendosi të dalë mbi ligjin e dekriminalizimit dhe të mbrojë kryebashkiakun ilegjitim të Matit.

“Ligji është shumë i qartë. Agron Malaj është dënuar me burgim për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e ndalon përjetë që ai të kandidojë apo të zgjidhet në një funksion publik. Për dënimin për këtë vepër penale, ndalimi sipas nenit 4 të ligjit është përjetë. Agron Malaj është dënuar për këtë krim. Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kishte vendosur për mbarimin e menjëhershëm të mandatit të tij, por iu nënshtrua urdhrave politikë, duke shpërdoruar detyrën dhe besimin e qytetarëve. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërdorim të detyrës dhe do të ankimojë në gjykatë vendimin e paligjshëm të KQZ-së. Vendimi i sotëm provon qartë se Edi Rama nuk e ka dashur kurrë dekriminalizimin, pasi krimi është aleati i vetëm për pushtetin e tij thellësisht të korruptuar dhe të kalbur nga bashkëqeverisja me krimin.”

Sipas tij, rasti i Agron Malajt dëshmon edhe njëherë se Rama ka marrë në mbrojtje krimin, duke e promovuar në politikë dhe në administratën publike.

“Akti rutinë i një kryeministri normal do të ishte shkarkimi i kandidatëve të tij kriminelë, por Edi Rama, i cili përgojon gjithkënd dhe flet për gjithçka, nuk ka gjetur akoma asnjë moment për të mbajtur qendrim për kriminelët e tij në bashki.  Edi Rama vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon që kandidatët që u ofroi shqiptarëve më 30 Qershor, janë kontigjent burgjesh dhe, njësoj si ai vetë, janë përfaqësues të padenjë për një shoqëri që kërkon të zhvillojë vlerat dhe standardet europiane. Veglat e tij të inkriminuara në pushtetin lokal, në qeveri, në institucione të tjera gjoja të pavarura nuk do ta shpëtojnë Edi Ramën nga ndëshkimi i qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *