Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, emërimet në qeverinë e re, dorëheqjet dhe shkarkimet kanë lënë gjashtë bashki të vendit pa kryetar bashkie.
Bëhet fjalë për Tiranën, Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun, që po drejtohen nga kryetarë të komanduar. Megjithatë, duket se qytetarët e këtyre bashkive do t’i drejtohen së shpejti kutive të votimit, me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ka nisur përgatitjet për garën elektorale të parakohshme të vjeshtës.
Kryekomisioneri Ilirian Celibashi, për Vizion Plus, shprehet se institucioni i administrimit të zgjedhjeve tashmë ka nisur procesin, me përjashtim të Tiranës, e cila kërkon më tepër kohë.Celibashi thotë se KQZ pret dekretin e Presidentit për të nisur edhe me afatet e partive politike.
Por a i ka fondet KQZ për zgjedhje të reja fill pas 11 majit? Për këtë, kryekomisioneri shprehet se do të ketë diskutime me qeverinë dhe parlamentin.
Tashmë pritet që Këshilli i Ministrave të dërgojë shkarkimin e Veliajt dhe vakancat në pesë bashkitë e tjera në Presidencë, me kreun e shtetit që më pas ka 48 orë kohë për të dekretuar datën e zgjedhjeve.
/vizionplus.tv




