Giorgia Meloni takohet me Ramën, kryeministrja e Italisë vjen në Vlorë
Ftesës së Edi Ramës për të vizituar Vlorën, Giorgia Meloni iu përgjigj me po. Ajo do të jetë një vizitë private dhe po aq edhe takimi i pritshëm i kryeministres së Italisë me homologun shqiptar, në vilën qeveritare.
Corriere della Sera shkruan se kryeministria e Italisë do të udhëtojë drejt Shqipërisë me familjen, bashkëshortin dhe vajzën. Media italiane thotë se shefja e qeverisë së Romës do të udhëtojë me tragetin e linjës “Prince” të kompanisë Gerveni Sealines dhe do të qëndrojë për pak orë në Vlorë për tu rikthyer të martën e 15 gushtit në Itali.
Vizita e Girogia Meloni vjen pas vlerësimit që Edi Rama i bëri udhëheqëses së partisë “Fratelli di Italia”. Në intervistën për “Libero” kryeministri deklaroi se ajo i surprizoi të gjithë, pasi prisnin një përbindësh fashist, por u përballën me një evropiane të thekur që deri më tani s’ka thënë e bërë asnjë gabim.
Jo vetëm kaq, por Edi Rama është shfaqur ditët e gushtit në mediat fqinje për të thënë se italianët gjithnjë e më të shumtë në numër po zgjedhin Shqipërinë e veçmas Vlorën jo vetëm për të pushuar, por edhe për të jetuar e zhvilluar biznese të vogla.
Edi Rama është deklaruar se për 2023-in numri i turistëve italianë është shumë më i lartë në krahasim me një vit më parë. Sipas tij ai është në shifrat e gjysmë milioni. Si arsye kreu i qeverisë thotë janë çmimet më të leverdishme, edhe pse deklaron se ato nuk do të zgjasin për shumë vite.
Përveç Giorgia Melonit duket se bregdeti shqiptar është përzgjedhur edhe nga ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, që shpesh herë ofron këshillim për kryeministrin Edi Rama.




