Në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, i pandehuri Fatmir Mediu u shpreh i pakënaqur me mënyrën se si SPAK ka zhvilluar hetimet ndaj tij.
“Në aktekspertim thuhet se zonat ushtarake bëjnë demontim, sipas ushtarakëve kanë punuar me kapacitet të plotë. Po ta bëjmë krahasimin me kontratën për fishekët kemi 7 milionë euro. Verifikimi i dokumentacionit është punë e kompanisë, sepse kompetencat e ministrit përcaktohen me ligj, me VKM dhe me Kushtetutë. Prokuroria po e vesh gjithçka me negativitet”, tha Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes ka mbajtur të njëjtin qëndrim mohues ndaj akuzave duke i cilësuar ato si të pabaza kur roli i tij ishte vetëm politik.
“Janë 5 urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm për municionet sepse nuk përcakton ministri nëse janë municione të vogla apo të mëdha. Këtu nuk ka as prezumim pafajësie, as çështje të gjykuar.
Dokumentet nuk mund të jenë të shkëputura, do t’i paraqesim pikë për pikë.
Sot kërkuam të thirren për të dhënë dëshminë komandantët ushtarakë amerikanë dhe gjermanë që kanë punuar me ne dhe ekspertët. Kërkesa jonë nuk u pranua”, tha Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për çështjen Gërdeci nën akuzën e shpërdorimit të detyrës sipas kodit penal dhe dhe atij ushtarak./vizionplus.tv





