Subscribe

Pas 8 vitesh nga tragjedia ku humben jetën 26 persona e u plagosën 300 të tjerë, Gërdeci iu kthye banoreve. Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, Ministria e Mbrojtjes i dorëzoi Bashkisë së Vorës 386 mijë metra katrorë sipërfaqe toke, të pastruar nga inertet. Mimi Kodheli e konsideroi vendin e shpërthimit si “fabrika e vdekjes” dhe humbjen e jetëve një tragjedi përtej çdo imagjinate. Por ndryshe e cilësoi kryetari i bashkisë së Vorës Fiqiri Ismailaj. Njësoj si në qëndrimet e ceremonisë edhe pllakatet e memorialëve, paraqesin dy këndvështrimet e ndryshme. Në atë të ngritur nga Ministria e Mbrojtjes cilësohet si tragjedi, ndërkohë që në atë të ngritur nga Bashkia e Vorës, si aksident teknologjik. Por kjo nuk ndaloi që për të tetin vit radhazi familjarët e viktimave të mblidheshin në mesditë për të rikujtuar të afërmit e tyre që humbën jetën. Prania e ushtarakëve, por edhe punimeve për heqjen e materialeve, bënë që fillimisht ata të kryenin homazhe pranë memorialit të ngritur nga Bashkia e Vorës, por disa prej tyre shkuan në memorialin tjetër, ku shkruhet Tragjedia e Gërdecit. Shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve, i mori jetën e 26 personave, mes të cilëve gra dhe fëmijë, ndërsa mbetën të plagosur edhe 300 të tjerë. Pavarësisht se mbushen 8 vite nga tragjedia, ende familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *