Subscribe

Shtyhet për të tretën herë pretenca për “Dosjen Gërdeci” për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

 

Ky vendim i gjykatës erdhi pas kërkesës së depozituar nga ana e përfaqësuesve ligjorë të Mediut, ku njëri prej tyre, Henrik Ligori, e argumentoi mungesën e tij me gjendjen jo të mirë shëndetësore, ndërsa avokati tjetër, Ardian Visha, me përplasjen e orareve në një tjetër proces gjyqësor.

 

Në këto kushte, Gjykata e Posaçme, e përfaqësuar nga Irena Gjoka, nuk e gjeti të arsyeshme mungesën e dy avokatëve, ndaj sot vendosi të caktojë Artan Simonin për të marrë përsipër mbrojtjen e ish-ministrit, nëse avokatët e zgjedhur prej tij nuk paraqiten në datën 7 qershor, datë kjo e cila përkon me seancën e radhës.

 

Rihapja e “Dosjes Gërdeci” vjen në një kohë kur kanë kaluar 15 vjet nga shpërthimi i fuqishëm që i mori jetën 26 personave, mes tyre edhe 7-vjeçarit, Edison Durdaj. Kanë qenë pikërisht familjarët e tij ata që kanë kallëzuar në SPAK Ministrin e Mbrojtjes gjatë vitit 2008, Fatmir Mediu, e që çoi në riçeljen e hetimeve.

 

Mbetet për t’u parë, sesa vite dënim do të kërkojnë prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Klodian Braho, për dy akuzat që rëndojnë mbi ish-ministrin, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Ushtarak.

 

Nëse akuza e parë provohet, atëherë Mediu rrezikon deri në 7 vjet heqje lirie, ndërsa akuza tjetër, ajo e shpërdorimit të detyrës, sipas kodit ushtarak parashikon një dënim me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *