Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kërkoi në Gjykatën e Posaçme të pyeten 90 dëshmitarë në procesin e riçelur të Gërdecit, ku 15 vjet më parë humbën jetën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Mes dëshmitarëve të kërkuar janë 6 ish-ministra: Pandeli Majko, Besnik, Mustafaj, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Mimi Kodheli e Besnik Baraj, së bashku me 3 ish-ministra homologë të Fatmir Mediut, ai gjerman, italian dhe ai i Maqedonisë së Veriut.
Po aq, Mediu, këtë herë jo prezent në gjyqin që po mbahet ndaj tij, kërkoi të pyeten edhe zyrtarë të lartë të mbrojtjes në departamentin amerikan të shtetit, si dhe gjeneralë të NATO-s.
Gjykatës së Posaçme iu kërkua gjithashtu që të hiqet dorë nga gjykimi i shkurtuar, e të vijohet me atë të zakonshmin, që shkaktoi debate në sallën e gjyqit si nga ana e mbrojtësit të familjarëve të 26 viktimave, por edhe nga ana e prokurorit.
Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka.
Pas seancës, avokati Dorian Matlija tha se pranimi i kësaj kërkese do të jetë në të mirë të procesit gjyqësor, pasi do të qartësojë të gjitha faktet penale që i ngarkohen të pandehurit.
DORIAN MATLIJA
AVOKAT I FAMILJARËVE TË VIKTIMAVEÇështja shumë mirë që do shkojë me gjykim të zakonshëm sepse do të sqarohen të gjitha detajet dhe do kuptojë dhe gjykata se çfarë cilësimesh juridike do t’i japë veprës në fund. E rëndësishme në këtë proces është të zbulohet roli i personit më kyç, ai i ministrit të mbrojtjes.
Ndërsa, Ardian Visha, avokati i Mediut, nuk pranoi të bënte komente, pasi nga salla e gjyqit i konsideroi qëndrimet mediatike të Dorian Matlisë si shfaqje.
ARDIAN VISHA
AVOKATAsnjë gjë të rëndësishme për të thënë, kështu që kursejeni show-n. Ia lamë atij tjetrit. Nuk jam fallxhor. Nuk e di sa do zgjasë procesi.
Tashmë në datën 22 shtator, prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Klodian Braho do të paraqesin faktet që provojnë sipas tyre, se dy akuzat e ngritura : ajo e shpërdorimit të detyrës sipas kodit penal dhe e shpërdorimit të detyrës sipas atij ushtarak, ekzistojnë.




