Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar këtë të enjte në Kuvend për pasojat që ka lënë koronavirusi në ekonomi.

Gjatë fjalës së tij, Sejko deklaroi se pandemia dhe masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit kanë dhënë goditje të fortë për familjet dhe biznesin, duke theksuar se ekonomia pritet që të shënojë rënie.

Për Sejkon, kriza që ka mbërthyer vendin kërkon një reagim të shpejtë si në planin shëndetësor dhe atë ekonomik.


“Pandemia dhe masat e nevojshme për kontrollin e saj kanë dhënë goditje të fortë për familjet dhe biznesin. Ekonomia pritet që të shënojë rënie, rritje të papunësisë dhe përkeqësim të situatës financiare dhe shtim të kredive me probleme. Kjo kërkon një reagim të shpejtë si në planin shëndetësor dhe atë ekonomik. Banka e Shqipërisë mori masa për të likuiditetin dhe siguruar kreditimin, kjo përfshin uljen me 0.5% të normës së interesit, lehtësimin e përkohshëm të rregullores, shtyrjen e kësteve të kredive dhe ristrukturimi. Tregjet vijojnë normalisht, pasiguria është shtuar në ekonomi. Masat fiskale kanë zbutur efektet e pandemisë. Ekonomia i ka premisat ta përballojë me sukses këtë goditje, por kërkon që të gjithë të marrin vendimet e duhura në kohën e duhur.”

Ndër të tjera, ai e konsideroi rritjen e borxhit, një të keqe të domosdoshme.


“Lidhur me borxhin publik në këtë situatë të vecantë, të vështirë, jo vetëm Shqipëria, rritja e borxhit është e keqe e domosdoshme në këtë situatë për të shmangur falimentimin. Në dijeninë tonë, jemi në pritje të rishikimit të buxhetit këto ditë dhe do të shohim, ka një adresim për disa projekte të PPP-së, ky është atribut i qeverisë, opinioni i BSH është dhënë para krizës që duhet të jetë sipas standardeve ndërkombëtare dhe të kenë studim fizibiliteti, pjesa tjetër është atribut i qeverisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *