Prej javësh tashmë, tregjet evropiane po përballen me krizën energjetike në kushtet kur ka mungesë të furnizimit me gaz natyror dhe paralelisht çmimet janë rritur.

 

Për më tepër, tensionet mes Moskës dhe fqinjëve të saj perëndimorë janë thelluar pasi gazsjellësi Yamal-Europë, që normalisht transporton gaz rus në kontinentin e vjetër, në javën e fundit ka dërguar gaz në drejtim të kundërt, drejt Polonisë dhe Ukrainës.

 

Gazsjellësi kalon përmes qytetit Smolensk në perëndim të Rusisë,për të vazhduar në Minsk të Bjellorusisë, dhe më tej nëpër Poloni, përpara se të arrijë në stacionin e kompresorit në Mallnov pranë Frankfurt an der Oder, që gjendet në afërsi të kufirit midis Gjermanisë dhe Polonisë.

 

Ndërtimi i këtij gazsjellësi nisi në vitin 1994 dhe 12 vjet më vonë arriti kapacitetin e parashikuar vjetor prej pothuajse 33 miliardë metër kub gaz.

 

Kjo sasi përbën rreth një të gjashtën e eksporteve të gazit rus në Evropë. Kontrata afatgjate për transitin e gazit midis Rusisë dhe Polonisë skadoi në muajin maj të vitit 2020. Që atëherë, Gazpromi, përmes ankandeve, ka bërë kontrata afatshkurtra të transitit të gazit përmes këtij gazsjellësi.

 

Por, që prej 19 dhjetorit nuk ka pasur asnjë kontratë për të sjellë gaz dhe gazsjellësi ka dërguar gaz në drejtimin e kundërt.

 

Sipas Moskës, kjo shpjegohet me faktin se nuk ka pasur kërkesa për të dërguar gaz në Gjermani, shtet që gjithashtu pranon gaz rus përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, tubacion që kalon përmes Detit Baltik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *