Në ditën e fundit të takimit në Romë, liderët e 20 vendeve më të industrializuara në botë ranë dakord të reduktojnë subvencionet shtetërore për lëndët djegëse si qymyri. Ndërsa mori vëmendje të veçantë edhe furnizimi i Evropës me gazin rus.

Presidenti Joe Biden në takimin me kancelaren gjermane në detyrë, Angela Merkel, diskutoi përpjekjet për të mos lejuar Rusinë që të manipulojë çështjen e furnizimit me gaz, për qëllime politike. Fluksi i eksportit të gazit rus po vëzhgohet nga afër në një kohë kur çmimet e gazit në Evropë po rriten ndërsa ekonomia globale po rimëkëmbet nga pandemia.

Në kuadër të samitit, SHBA, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe gjithashtu u konsultuan edhe për rifillimin e bisedimeve atomike me Iranin. Udhëheqësit e paralajmëruan Teheranin se përparimet e vazhdueshme bërthamore dhe pengesat ndaj punës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do të rrezikojnë kthimin tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Ndërkohë, takimi i G20 u përcoll me protesta masive që u përshkallëzuan edhe në dhunë e përplasje me autoritetet. Mijëra qytetarë në Romë dhe në disa qytete të tjera, kritikuan mungesën e veprimit nga ana e udhëheqësve si dhe akuzuan politikat e tyre shfrytëzuese në emër të pandemisë.
Edhe në Glasgow të Skocisë ku nis sot samiti i klimës, kanë nisur protestat masive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *