Gaza, vriten dhjetëra palestinezë! Shtohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës

Palestinezët në Gazën Veriore raportuan një nga netët më të këqija të bombardimeve izraelite në javët e fundit, pasi ushtria lëshoi urdhra evakuimi masiv këtë të hënë.
Tanket e ushtrisë hynë në zonat lindore të periferisë Zeitoun në qytetin e Gazës dhe bombarduan disa zona në veri, ndërsa avionët sulmuan të paktën katër shkolla duke larguar familjet që strehoheshin në të.
Ushtria izraelite tha se goditi objektiva militante në Gazën Veriore, duke përfshirë qendrat e komandës dhe kontrollit, pasi ndërmori hapa për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve.
Zyrtarët shëndetësorë në Spitalin Nasser në Khan Younis thanë se të paktën 38 persona janë vrarë vetëm këtë të hënë.
Sipas mjekëve, shumica e viktimave u goditën nga të shtënat me armë zjarri, por banorët raportuan gjithashtu një sulm ajror. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite mbi incidentin.
Sulmet vijnë pak përpara se zyrtarët izraelitë të shkojnë në Uashington për një nismë të re armëpushimi nga administrata e presidentit Trump.
Burime palestineze dhe egjiptiane kanë bërë të ditur se ndërmjetësit Katari dhe Egjipti kanë shtuar kontaktet e tyre me të dy palët ndërluftuese, por ende nuk është caktuar një datë për një raund të ri bisedimesh për armëpushim.
Hamasi ka thënë se rezultatet varen nga qëndrimi i Izraelit për të ndalur luftën dhe për t’u tërhequr nga territori i Gazës.




