Subscribe

48 orë pas publikimit të akuzave të Prokurorisë së Posaçme kundër liderit të opozitës, Sali Berisha, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi doli para medias për të qartësuar pozicionin e tij dhe 17 deputetëve që e mbështesin.

 

Bardhi nuk sulmoi në asnjë moment SPAK-un, duke mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga mbështetësit e Sali Berishës, të cilët kanë artikuluar akuza të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme.

 

Gazment Bardhi

“Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë. Edhe kur nuk jemi dakord me aktet apo vendimet e saj, ne nuk kemi betejë me drejtësinë.

Edhe kur shohim sesi koka e inceneratorëve, Edi Rama, që ka miratuar 17 VKM brenda ditës për të favorizuar mafiozët e inceneratorëve, vijon të shëtisë i lirë nga supervila e tij në Surrel për në Kryeministri, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.”

 

Por edhe pse nuk e akuzoi SPAK-un, Bardhi vuri në dukje se vendosja e masës së sigurisë ndaj liderit të opozitës Berisha pa marre leje nga parlamenti është shkelje e kushtetutës.

 

 

“Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK. “

 

Kryetari i grupit vuri në dukje se beteja e vetme e opozitës është me qeverinë Rama.

 

“Dua të sigurojë qytetarët se beteja e opozitës së bashkuar me keqqeverisjen e Edi Ramës, ka qenë dhe do të jetë e pakompromis, me çdo kosto, me çdo mjet demokratik”

 

Ndërkaq mësohet se Gazment Bardhi do të vazhdojë bashkëpunimin me liderin e opozitës, Sali Berisha, dhe mbledhjet e përbashkëta të deputetëve të opozitës do të vazhdojnë të zhvillohen duke nisur nga java e ardhshme, meqenëse këtë javë parlamenti nuk ka as mbledhje të komisioneve dhe as të seancave plenare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *