Gjermania ka hequr kufizimet e moshës në përdorimin e vaksinës anglo-suedeze Astrazeneca ndërsa në verë do të nisë edhe vaksinimi për 12 deri 15 vjeçarët. Ministri i shëndetësisë, Jens Spahn bëri të ditur se nuk do të duhen më 12 javë për të marrë dozën e dytë por katër. Nga ana tjetër, parlamenti gjerman miratoi rregulla të reja që u japin privilegje të veçanta njerëzve që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19. Duke filluar nga kjo e shtunë, për këta persona nuk do të ketë më detyrime për karantinë, hiqen kufizimet në takimet private por maska dhe ruajtja e distancës mbeten detyrim.

Rreth 8.6% e popullsisë në Gjermani, janë plotësisht të vaksinuar. Sa i takon vendimit amerikan për pezullimin e përkohshëm të patentave të vaksinës i cili mori mbështetje edhe në BE, kancelarja Angela Merkel është shprehur kundër.

“Mbrojtja e pronës intelektuale është një burim i inovacionit dhe duhet të mbetet i tillë në të ardhmen, ndërsa duhen mbështetur furnizimet globale të vaksinave.”-ka deklaruar Merkel.

Sipas qeverisë federale, kapaciteti i prodhimit dhe kontrolli i cilësisë janë pengesat kryesore për zgjerimin e aksesit në vaksina, jo të drejtat e pronës intelektuale.

Edhe Franca po përshpejton fushatën e saj të vaksinimit. Të gjithë të rriturit do të jenë në gjendje të rezervojnë një takim për sa kohë që ka vaksina ende në dispozicion, pranë vendbanimit të tyre.

Ndërkohë, kompania amerikane Moderna bëri të ditur se sipas rezultateve të provave të para klinike, vaksina e saj kundër Covid-19 është 96 për qind efektive tek të rinjtë e moshës 12 deri në 17 vjeç. Pfizer dhe BioNTech tashmë kanë aplikuar për autorizimin e vaksinës së tyre për moshat 12-15 vjeç në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Kanadaja është vendi i parë që autorizoi administrimin e vaksinës  Pfizer për këtë grupmoshë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *