Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar Spitalin e ri të Laçit, i rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti, i cili pritet që të fillojë punën së shpejti.

 

“Bëhemi gati për të hapur këtë spital sa më shpejt. Pra presim edhe disa mobilime të tjera spitalore, ndërsa pjesa e infrastrukturës së rëndë tashmë ka përfunduar. Grafia gjithashtu është gati, është koaluduar. Besoj që kjo na jep një dorë sepse edhe pajisjet në këtë spital ishin tërësisht të vjetëruara dhe të amortizuara në raport me atë që ne duam të ofrojmë për qytetarët, që mbi të gjitha është cilësia e shërbimit”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë tha se Spitali i Laçit do të fuqizohet gjithashtu me mjekë të rinj.

 

“Duke qenë se kemi tashmë një strukturë të mirëmenduar për një spital si i Kurbinit, por edhe në tërësi për spitalet bashkiakë, kemi vlerësuar që të kemi edhe një sallë lindjeje natyrale. Sepse patjetër që edhe me ardhjen e mjekut obstrerêr-gjinekolog, mund të bëjmë edhe lindjet në këtë spital. Kështu që kemi kemi investuar pikërisht në sallën e lindjes dhe besoj që është një tjetër hap përpara drejt një unifikimi të shërbimeve dhe në spitalet bashkiake” tha Manastirliu.

 

Gjatë inspektimit, Ministrja Manastirliu tha se ky spital do të jetë model për gjithë spitalet bashkiake në vend.

 

“Me spitalin e Laçit duam që të krijojmë një model. Një model që më pas ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë, përsa i përket shërbimeve që do të ofrojë ky spital, sepse i kemi grupuar në shërbimet e patologjisë, pediatrisë, obstetrikë-gjinekologjisë dhe të kemi mundësi kështu që të kemi një shërbim spitalor më efiçent”, tha Manastirliu.

 

Kapacitetet e këtij spitali janë deri në 40 shtretër. Godina 50 vjeçare ku ushtronte aktivitetin Spitali i Kurbinit u shpall e pabanueshme pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rindërtimi i Spitalit Kurbin ka një vlerë totale investimi 2.8 milionë euro dhe një sipërfaqe ndërtimi prej 2516 m2.

 

Me ndërtimin e spitalit të ri, më shumë se 46 mijë qytetarë të Kurbinit do të përfitojnë shërbim shëndetësor sipas standardeve më të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published.