Subscribe

Dhjetëra familje që u prekën nga tërmeti tragjik, do të mund të festojnë ardhjen  Vitit të Ri në shtëpi të re.

 

E konsideruar si një lagje e re në kryeqytet, “5 maji”, do të presë familjet që me short u takon të strehohen në apartamente.

 

“Janë tre seksionet e para sepse janë grupe pallatesh në zonën e ‘5 Majit’, shumë afër shkollës “Ardian Klosi”, shumë afër urës së re që do të na lidhë me Kamzën, dhe do ta kthejë gjithë këtë komunitet në një portë hyrëse të Tiranës. Krijimi i kësaj infrastrukture do ta shndërrojë në një qendër ekonomike të vetme, Tiranën me Kamzën, dhe nyja që do të na lidhë, do të jetë gjithë zona e ‘5 Majit’”, tha kryebashkiaku.

 

Veliaj shtoi se është momenti që gjithsecili të mendojë për familjen dhe shtëpinë e tij, dhe jo për “bravën e partisë”.

 

“Nëse ka ende nga ata që mendojnë për bravën e partisë më shumë sesa për bravën e shtëpisë së vet, e lus me dorën në zemër të konsiderojë se familja dhe fëmijët e tij janë partia më e rëndësishme. Këto partitë e tjera shkojnë e vijnë, por partia më e rëndësishme është shtëpia jote, familja jote. Ftesa për të gjithë qytetarët është që, ata që tashmë me dakordësinë e tyre kanë zgjedhur vetë me short shtëpinë e ardhshme, të bëjnë gati mobilet, që këtë fundvit të futen në shtëpinë e re. Sigurisht, ne do i ndihmojmë edhe me administratorë, edhe me pastrues, por edhe me stafet e kompanive që janë ende në kantier”, sqaroi Veliaj.

 

Apartamentet do të ndahen këto ditë në një ceremoni, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri. Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh e parqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *