Gara për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, sot intervistat e 14 kandidatëve për postin e kryepolicit

Zyrtarët e policisë që kanë kandiduar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pritet të kalojnë në fazën e intervistimit ditën e sotme.
Komisioni i ngritur pranë Ministrisë së Brendshme, i përbërë nga zëvendësministrja Silva Caka, sekretarja e përgjithshme Kledia Ngjela dhe drejtuesi i AMP-së Eduart Merkaj, ka përfunduar shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve.
Në garë për këtë post aplikuan gjithsej 16 persona. Dy prej tyre, Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj, të cilat nuk bënin pjesë në Policinë e Shtetit, u skualifikuan pas fazës së verifikimit paraprak.
Pas përfundimit të intervistave, kandidatët do të vlerësohen me pikë dhe do të renditen nga më i vlerësuari tek më pak i vlerësuari. Brenda 48 orëve, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, do t’i propozojë një emër Këshillit të Ministrave për emërim.
Posti i Drejtorit të Përgjithshëm mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Prodës, e cila erdhi pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, ku u sulmua “Vila 31” në ish-Bllok.
Aktualisht, detyrën e drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit e mban Sokol Bizhga.
Lista e kandidatëve:
- Afrim Tafa
- Alfred Çepe
- Arjanit Arapi
- Elidon Çela
- Gentian Berberi
- Gentjan Shehaj
- Idajet Faskaj
- Lorenc Panganika
- Neritan Nallbati
- Pëllumb Seferi
- Rebani Jaupi
- Saimir Boshnjaku
- Skënder Hita
- Tonin Vocaj




