Futbollisti shqiptaro-maqedonas i Skënderbeut, Shqiprim Taipi, është pajisur me pasaportë shqiptare.

 

Lajmi është bërë i ditur nga vete futbollisti i ardhur në merkaton e janarit tek korçarët. Mesfushori nuk e ka fshehur gëzimin për pajisjen me pasaportën shqiptare lajm të cilin ka dashur ta ndajë me të gjithë tifozerinë e ekipit kampion duke e ka shpërndarë në rrjetet sociale.

 

Pajisja me pasaportën shqiptare e lehtëson mundësinë e zgjedhjes për trajnerin Orges Shehi, i cili tashmë numëron një lojtar më pak nga lista e të huajve. Pas merkatos së janarit Skënderbeu ka pasur të vështirë përzgjedhjen e formacionit edhe për shkak të pranisë së një numri të madh të futbollistëve të huaj, ndërkohë që në rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit lejohen të luajnë në një ndeshje vetëm katër lojtarë të huaj në të njëjtën kohë.

 

Krahas Taipit burime zyrtare pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se shumë shpejt pritet që të pajiset me pasaportë shqiptare edhe kroati Marko Radas sëbashku me familjen e tij.

 

Kapiteni i Skënderbeut tashmë është në mbyllje të gjitha procedurat e nevojshme, çka tregon se nuk përjashtohet mundësia që para ndeshjes me Luftëtarin edhe Radas të hiqet nga lista e lojtarëve jokomunitarë në radhët e Skënderbeut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *