Subscribe

Edhe futbolli iu bashkua festës së 109-vjetorit të Pavarësisë me vëllazëroren e veteranëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Emra që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar dhe jo vetëm, si Ilir Bozhiqi, Hysen Zmijani, Armend Dallku, Ardian Mema, Ilir Alliu, Agustin Kola, Fatbardh Jera apo Migen Memelli zbritën këtë të diel në qytetin e Durrësit për të luajtur përballë djemve të Kosovës. 90 minutat u mbyllën me rezultatin 1-1, ku golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi trajneri i Skënderbeut sot, Migen Memelli, ndërsa, Izmaku barazoi në pjesën e dytë për përfaqësuesen e Kosovës. Nga pika e bardhë, dardanët ishin më të saktë dhe gjithçka u mbyll me rezultatin final 11-10.

 

Të pranishëm ishin edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe homologu i tij i Kosovës, Agim Ademi, të cilët dhanë mesazhet e tyre në këtë ditë të shënuar.

 

ARMANDO DUKA – PRESIDENT I FSHF-së

“Do të doja t’iu uroja të gjithëve ditën më të rëndësishme në të gjithë historisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin. Këto ndeshje janë kthyer në traditë mes dy komuniteteve sportive. Do të doja shumë që ky 28 Nëntor të na gjente me një aktivitet akoma më të madh në një Kupë të premtuar mes të gjithë trojeve shqiptare.”

 

AGIM ADEMI- PRESIDENT I FSHK-së

“Jo rastësisht sot Shqipëria dhe Kosova luajnë me këto ngjyra, Shqipëria me të kuqe dhe Kosova me të zeza, që të dyja bashkë të bëjnë ngjyrat e flamurit. Si gjithmonë ne do ta urojmë këtë festë, sidomos ne nga Kosova e kemi shumë përzemër. Flamuri për ne është shumë domethënës për faktin që na ka mbajtur të gjallë dhe na ka mbajtur të mos asimilohemi në vitet më të hershme.”

 

Vëllazërorja Shqipëri-Kosovë ishte e treta për këtë vit dhe sipas dy federatave, pritet që vitin tjetër, organizimet mes dy vendeve të jenë dhe më të shpeshta.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *