E dinë përse futbolli është sporti më i bukur në botë?

Sepse me të nuk mund të bësh as më të voglën llogari.

Madje edhe kur e ndjen veten superior dhe gati gati të sigurtë.

Është ai sport që mund ti ndryshoje fytyrat e njerezve që janë në stadium nga sekondi në sekond.

Eshtë ajo garë ku nuk mjafton të jesh më i miri, nëse nuk tregon kujdes në detajin më të vogël e nëse nuk ke edhe fatin me vete.

Nuk ka ndeshje tjetër që i vërteton gjithcka thamë më lartë, më shumë sesa ajo që ndodhi në duelin e kthimit gjysmëfinal të Uefa Champions League mes Ajax dhe Tottenham. Një dramë e vërtete që nuk mund të përshkruhet në rrjeshtat e një kronike.

Ta shohesh veten të ikë nga duart finalja e kompeticionit më të lakmuar për klube në botë vetëm për 5 ose pak më shumë sekonda.

Kjo është drama që përjetoi Ajax kundër Tottenham mu në zemrën e vet, në “Johan Kroif Arena”.

Lucas Moura shënoi tre gola për ti dhënë suksesin 3 me 2 Spursave në transferte, rezultat që i con në finale e madhe të Madridit më 1 qershor me rregullin e golit në fushë kundërshtare, ndonëse ishin mundur 1 me 0 në Londër javën e kaluar.

Ndeshje e mrekullueshme, prej manuali, nga ato që ke dëshirë të mos mbarojnë kurrë në “Johan Kroif Arena”.

Një pjesë e parë ku ndonëse anglezet luajtën më mirë dhe ishin më kërcënues, u ndëshkuan dy herë nga një Ajax tejet racional.

De Ligt që në fillim me kokë dhe pastaj një supergol i Ziyech dhanë iluzionin e një ndeshje të mbyllur para kohe.

Por anglezet, të gjithë e dimë, nuk janë nga ata që dorëzohen para kohe.

Pochetino hedh në fushë në të dytën Llorenten dhe spanjolli është një pikë kthese në lojën e Spursave, ndonëse diferencen e bën një tjetër njeri.

Lucas Moura bën ndeshjen e jetës dhe shënon dy gola brenda 4 minutash duke rihapur gjithcka në minutën e  59.

Por holandezet, ashtu sic e kanë në traditë, nuk ka rëndësi nëse del apo qëndron ne kompeticion.

Ata luajnë hapur sikur ta nisnin gjithcka nga zero, një krenari e tepruar që në fakt në fund do ti ndëshkojë rëndë.

Ne mes shtyllave e rasteve në të dyja portat, drama ndodh në minutën e 95.

Në aksionin e fundit të ndeshjes Lucas Moura godet sërish dhe shkakton një “infarkt” të vërtete sportiv në Amsterdam.

Përkundër lotëve të gëzimit dhe hidhërimit në të dyja kampet, kjo që pamë në këtë duel është reklama e vërtetë e futbollit të magjishëm.

Deri në finale e madhe tërësisht angleze të 1 qershort, mund të bëjmë pak pushim.

Fundja në këto dy gjysmëfinale kemi parë shumë, jashtëzakonisht shumë…

Ervin Sina

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *