Milani frenon kampionet e Juventusit në përballjen e San Siros, duke fituar me rezultatin 1-0. Ndeshja u përcaktua nga goli i 18-vjecarit Lokateli, lojtar i cili ka marrë mbi supe peshën e organizimit të kuq e zinjve pas dëmtimit të kapitenit Montolivo. Bardhezinjte nisën gjithçka mirë në pjesën e pare, pasi rrezikuan disa herë portën e djajve me ane te argjentinasit Dybala dhe mbrojtësit Aleks Sandro, por hasën barrierën Donaruma, portierit 17-vjecar të Milanit. Nga ana tjetër, djemtë e Montelës përdorën kundërsulmin, me rastin më të rrezikshëm atë të spanjollit Suso. Minuta e 37 ishte dhe momenti që ndoshta përcaktoi dhe fatin e ndeshjes, pasi arbitri Ricoli anuloi nje gol te diskutueshëm të bardhezinjve, për shkak të pozicioneve aktive të mbrojtësve të Juventusit. Në 45 minutat e dyta, kuq e zinjtë bënë gjithçka mirë me Niang e Suso nga krahët. Ka qene pikërisht spanjolli i cili dhuroi dhe asistin për mesfushorin Lokateli qe me një goditje fantastike, mposhti Buffon. Ka mjaftuar ky gol në minutën e 65 për të përcaktuar fatin e takimit, ndonëse djemtë e Alegrit rritën intensitetin e sulmeve, veçanërisht me anë të kolumbianit Kuadrado. Me këtë fitore, Juventusi ndalet në kuotën e 21 pikëve në krye të renditjes, e ndjekur nga Milani me 19 pikëve. Skuadra kuq e zi, rikonfirmoi edhe një herë formën e mirë që po kalon pasi në 6 ndeshjet e fundit ka grumbulluar 16 pikë, më mirë se çdo ekip tjetër në seria A.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *