Subscribe

Në një kohë që rritja e masës së dënimit për armëmbajtjen pa leje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Brendshme i rikthehet pas disa viteve fushatës për mbledhjen e armëve pa leje. Gjatë një aktiviteti me shkollat 9-vjeçare nën sloganin “Mos Gjuaj, por Duaj” ministri Saimir Tahiri tha se që nga viti 1997 e deri më sot, mbi 10 mijë qytetarë kanë humbur jetën apo janë plagosur rëndë nga armët e paligjshme. Shume shpejt do te nise fushata e dorëzimit te armëve pa leje.

“Është kjo arsyeja që bashkë me partnerët tanë BE dhe OKB, ne do nisim një fushatë të gjerë në Shqipëri, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo shtëpi për mbledhjen e armëve pa leje. Nuk është detyrë e lehtë por është diçka që ne mund ta arrijmë bashkë. Shqipëria ka kaluar disa të tilla, pra fushata për mbledhjen e armëve pa leje, por unë e shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje çdo qytetari të braktisë armën”.

Ndonëse nuk tha nëse diçka e tillë do të jetë pa pasoja penale për ata që i dorëzojnë,Tahiri u shpreh se punonjësit e policisë do të bisedojnë me qytetarët per t’i binduar ata qe kane nje arme ta dozojnë.

“Punonjësit e policisë do shkojnë në çdo shtëpi në të gjithë Shqipërinë, për të komunikuar me të gjithë qytetarët, për t’i bërë dhe njëherë me dije rrezikun e madh që vjen nga armët dhe për të krijuar shtegun ligjor që të braktisen, të dorëzohen armët e paligjshme që sot kanë në dorë qytetarët”.

Tahiri u shpreh se ekzistojnë dy probleme me armëmbajtjen pa leje. Sipas tij, armëmbajtja shërben ende sot si një nder shkaqet për krimet ne konfliktet e çastit. Por ministri gjen edhe nje tjetër fajtor per situatën, pikërisht sistemin e drejtësisë.

“Që do bëjë drejtësi dhe që bën drejtësi, pavarësisht muskujve apo xhepit të cilitdo prej palëve në gjyq. E kjo shpesh ka sjellë vetëgjyqësi. Kjo shpesh ka sjellë drejtësi me mjete rrethanore. Drejtësinë e bërë vetë, që në shumicën e rasteve është bërë me armë, e që për fat të keq vazhdon ende”.

Pas hapjes së depove në vitin 1997 rreth 650 mijë armë ranë në duart e civilëve ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë disa fushata për dorëzimin e tyre. Ende nuk ka statistika të sakta por mendohet se 90 mijë armë të tjera janë ende në qarkullim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *