O Rame…, ehe mër Lul…
I kthyer në refren, tanimë komunikimi në distancë i Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ka rrembyer vëmendjen e audiencës, veçanërisht asaj online.
Kryeministri Rama dhe kreu i euroatlantikëve Basha, prej afro 1 muaji, replikojnë me videomesazhe, shoqëruar me nota humori, komente pikante dhe muzikë argëtuese. Por sa efektive është kjo strategji që po përdoret prej tyre dhe cili favorizohet më shumë sipas politologut Ermal Hasimja?
“Në këtë rast, Basha nuk ka ndonjë kosto të madhe për të paguar. Ndikimi i tij në publik ka rënë mjaftueshëm, është nxitur për të gjetur një gjë të vacant për të tërhequr vëmendje… Në kuadër të asaj që bën Rama, është përtej pjesës së argëtimit personal, është një mënyrë për të hedhur një shashkë në kampin opozitar. Për Bashën, është një instrument që nuk i ka në dorë siç i ka pasur kur ishte kryetar i PD-së.”, shprehet Hasimja.
Parë në aspektin e strategjisë së marketingut, pedagogia Edlira Mali për mikrofonin e Vizion Plus rreshton disa kritika për të dyja palët.
“Marketingu që të jetë efektiv duhet të kombinohet me disa strategji, kontakti me audiencën nuk mund të godasë vetëm në një formë. Pavarësisht se kjo, nëse përsëritet, ka efekt sepse ka të bëjë me subkoshiencën e personit, por duhet kombinuar pasi është ajo magjia e numrit 7, të trokasësh në 7 forma të ndryshme që audience të të zgjedhë ty. Megjithatë, ti duhet të sjellësh edhe zgjedhje, një program…”, thot Edlira Mali.
Hasimja beson se partitë e reja kanë shanse të fitojnë territor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare:
“Për herë të parë ka disa oferta nga partitë e reja. Midis këtyre partive duhet parë, i takon secilit votues të bëjë një filtër individualisht se çfarë ofron secila prej tyre. Përtej elementit të ideologjisë, kanë zgjedhje për të thyer monopolin e dy partive kryesore”
E kundërta është për pedagogën Edlira Mali:
Nga studimet shohin si shpresëdhënëse, nuk janë figurat e reja brenda një force politike, por vlerësojnë subjektet e reja politike. Nuk më vjen mirë për format e reja, risitë që ata nuk po sjellin si të rinj, vijën me agresivitet duke imituar të vjetrit, dhe kjo nuk i favorizon…
Të dy ekspertët pohojnë se përdorimi i fushatës digjitale po rritet gradualisht, pavarësisht se televizioni vijon të jetë tradicionalisht i preferuar.
/vizionplus.tv





