Shumë amerikanë janë zgjuar mëngjesin e Krishtlindjes nën një mot tepër të ftohtë. Për disa, bora kishte arritur në lartësinë e dritares së shtëpive. Era e fortë dhe i ftohti i hidhur janë pasojë e një furtune dimërore që ka shkaktuar viktima e ka lënë pas një pjesë të madhe të vendit, të paralizuar.

 

 

Erëra të forta, borë e dendur dhe temperatura ngrice përfshinë mbarë Shtetet e Bashkuara. Në Kentucky u mbyll autostrada ndërshtetërore pasi mbi 700 makina mbetën të bllokuara. Në qytetin Buffalo, të Nju Jorkut, kushtet janë aq të rënduara sa mendohet që furtuna e borës është ndër më të këqijat në këtë zonë të mësuar me dimër të ashpër. Ndërsa bora e ngjeshur zuri rrugët, banorët braktisën makinat dhe aeroporti u mbyll për të paktën deri të hënën. Autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e udhëtimit në rrugë dhe ekipet e emergjencave shpëtuan të paktën 50 persona që ishin bllokuar në makinat e tyre. “Nuk është diçka me të cilën krenohemi. Por në zonat më të prekura, nuk ka prezencë të shërbimeve të emergjencave”, tha Mark Poloncarz, drejtuesi i qarkut Eire, në shtetin Nju Jork.

 

 

Një nënë kërkoi ndihmë në Facebook, pasi ekipet e emergjencave nuk arrinin dot në shtëpinë e saj. Për shkak të ndërprerjes së energjisë, asaj iu desh të pomponte oksigjen për djalin e saj njëvjeçar që ndihmohej për frymëmarrjen nga një respirator. Ndërprerja e elektricitetit është bërë një problem në mbarë vendin. Në të paktën 13 shtete, kompanitë energjitike u kanë kërkuar klientëve të kursejnë energjinë. “Përpjekjet e konsumatorëve për të kursyer energjinë gjatë 24 orëve të ardhshme do të na ndihmojnë të shmangim ndërprerjet në furnizim”, u shpreh një zyrtar i kompanisë energjitike “PJM”.

 

 

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, paralajmërimet për motin e keq dhe udhëzimet për masat që duhen marrë mbulojnë tashmë pjesën më të madhe të vendit. Madje as Florida, që zakonisht është zonë e ngrohtë, nuk arriti t’i shpëtonte të ftohtit dhe shatërvanët u gjendën të ngrirë në qytetin Pensacola. Stuhia masive ndërpreu edhe udhëtimet ajrore. Mbi 20% të fluturimeve u anulluan të premten dhe një pjesë e madhe e udhëtarëve nuk arritën në destinacionin e tyre për këtë sezon festash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *