Subscribe

Fundjava artistike në kryeqytet ka nisur që të enjten. Teatrot i kanë hapur dyert për shfaqjet, edhe pse alternativat janë të pakta.

 

Ka nisur me artistët vjenezë në Pallatin e Kongreseve, nën titullin “Vienna përshëndet Tiranën”, si pjesë eventeve që mbahen në kuadër të vitit kulturor Austri – Shqipëri.

 

E shtuna dhe e diela flet me gjuhën e artit vetëm në pedonalen e kryeqytetit. Të vetmet që ofrojnë produksione artistike janë teatrot. Shfaqjet kanë nisur rrugëtimin e tyre që të enjten e duket se kjo do të kthehet në traditë për skenat teatrale kombëtare.

 

“Medea” është tragjedia që ka tërhequr më së shumti publikun. Që në ditët e para të javës, qytetarët kanë rezervuar vendet në Teatrin Eksperimental për shijuar “Medean” e Luiza Xhuvanit. Kasti i aktorëve më në zë të skenës teatrale dhe koncepti regjisorial që vjen nga Greqia, ashtu sikurse edhe vepra do të ngjiten në skenën eksperimentale edhe për dy javë të tjera.

 

Nuk ndodh kështu me “Rojat e taxhit” që e gjeni vetëm këtë fundjavë në teatrin Kombëtar. Edhe kjo shfaqje, një sukses më herët në Teatrin Eksperimental u kërkua nga publiku të rikthehej edhe një herë në Tiranë. Lulzim Zeqja dhe Gazmend Gjoka u rikthyen në Teatrin Kombëtar për të vijuar më tej rrugëtimin edhe në teatrot e rretheve.

 

Premiera e kësaj fundjave është një komedi shqiptare nga Stefan Capaliku. “Një engjëll në katin e 11” është një histori urbane që ngjit në skenë Ervin Bejlerin e Ilirda Bejlerin. E kuruar në skenografi dhe koreografi nga pedagogët e universitetit të Arteve Sadik Spahia dhe Gjergj Prevazi, kjo shfaqje është e para premierë e teatrit të Metropolit për vitin 2018.

 

Edhe për publikun e vogël janë skenat teatrale që mendojnë. Teatri Eksperimental josh të vegjlit me një muzikal si “Matilda” dhe një shfaqje plot efekte kinematografike me “Safarin e Livias”.

 

Teatri i kukullave ka paralizuar jetën artistike, por përtej vështirësive çadra e cirkut vijon të mbetet aktive. Kllouni është personazhi kryesor i numrave që do të gjeni aty.

 

Për dashamirësit e arteve vizuale kjo është një fundjavë e trishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.